Debat për rampën e Prishtinës: Komuna propozon pagesë 10 euro për hyrje në kryeqytet
Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat finale për ta jetësuar nismën për vendosje të taksës prej 10 eurosh secilit qytetar që nuk është rezident në kryeqytet, e që hyn me automjet në qendër.

Krahas kësaj, ka paraparë taksë edhe për ata që nuk hyjnë me automjet, por e kalojnë natën në Prishtinë.
Prishtina po shqyrton vendosjen e një tarife për hyrje në kryeqytet për automjetet që nuk janë të regjistruara në territorin e saj, në kuadër të ndryshimeve në Rregulloren për Tarifa, Gjoba dhe Ngarkesa komunale, e cila tashmë është vendosur në konsultim publik.
Drafti parasheh që çdo automjet i regjistruar jashtë Prishtinës, që hyn në zonën e përcaktuar nga kryeqyteti, t’i nënshtrohet pagesës prej 10 eurosh për hyrje, ndërsa për qytetarët që kalojnë natën në Prishtinë është propozuar edhe një taksë akomodimi prej 1 euro për natë.
Në draft-rregullore thuhet se “çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 euro për hyrje”, ndërsa pagesa do të realizohej përmes pikave hyrëse të autorizuara, sistemit elektronik ose platformave të tjera të miratuara nga Komuna.
Sipas dokumentit, nga kjo pagesë do të përjashtohen automjetet emergjente, automjetet e institucioneve publike gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si dhe veturat e banorëve rezidentë të Prishtinës që posedojnë dëshmi të vlefshme. Drafti përcakton gjithashtu se mospagesa e tarifës do të konsiderohet kundërvajtje dhe do të sanksionohet me gjobë, megjithëse lartësia e saj nuk është specifikuar.
Përveç tarifave për hyrje dhe akomodim, drafti parasheh edhe ndryshime në taksat për biznese të ndryshme.
Bizneseve farmaceutike pritet t’u rritet taksa për 200 euro, po aq edhe moteleve, ndërsa institucioneve mikrofinanciare është paraparë t’u përgjysmohet taksa nga 1000 në 500 euro.
Në listën e re janë përfshirë edhe 41 veprimtari biznesore që do të taksohen, përfshirë sallonet e floktarisë që sipas draftit do të paguajnë 1000 euro, njësoj si bankat.
Komuna e Prishtinës e ka arsyetuar këtë nismë me synimin për të reduktuar trafikun dhe ndotjen nga automjetet që hyjnë nga qytetet tjera, si dhe me nevojën për financim të projekteve infrastrukturore, veçanërisht ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se tarifa mbetet vetëm ide për diskutim publik dhe jo vendim i marrë.
“Është propozuar që tarifa të jetë 1 ose 2 euro për automjetet që nuk janë të regjistruara në Komunën e Prishtinës, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj që hyjnë në qendër të Prishtinës”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se arsyeja kryesore lidhet me mungesën e financimeve për projektin e Unazës së Kryeqytetit.
Sipas Ramës, paketa financiare për këtë projekt arrin rreth 206 milionë euro dhe përfshin edhe grante. “Nëse qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për ndërtimin e Unazës së Qytetit, nuk do të ketë tarifa për askënd”.
Edhe Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Inovacionit në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, ka deklaruar se tarifa për veturat pritet të jetë 1 ose 2 euro dhe jo 10 euro për secilin qytetar që hyn në kryeqytet.
“Taksa për kamiona apo autobusë të vjetër do të jetë pothuajse ndëshkuese. Për vetura dhe njerëz do të ketë lëvizje të lirë, por për një zonë të qytetit do të taksohen”.
Nisma ka nxitur reagime të shumta nga organizata, opozita dhe qytetarët.
Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale kanë kërkuar tërheqjen e dispozitave që i konsiderojnë diskriminuese, duke vlerësuar se drafti rrezikon të cenojë parimet e barazisë dhe trajtimit të drejtë të qytetarëve.
Në reagimin e tyre thuhet se “masa të tilla krijojnë trajtim të pabarabartë ndërmjet qytetarëve dhe subjekteve ekonomike”, ndërsa kanë rikujtuar se Prishtina merr rreth 20 milionë euro grant shtesë nga shteti për shkak të statusit si kryeqytet.
Kundërshtime ka pasur edhe nga brenda pushtetit lokal.
Shefi i asamblistëve të Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se “Prishtina është kryeqytet i të gjithë qytetarëve dhe nuk duhet të ketë rampë hyrëse”. Ai ka shtuar se problemet e trafikut duhet të zgjidhen me investime dhe transport publik më të mirë, e jo me tarifa të reja për qytetarët.
Reagim pati edhe nga kryetari i Fushë Kosova, Valon Prebreza, i cili paralajmëroi masa reciproke nëse tarifa hyn në fuqi. “Do të vendosi taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës”, kishte deklaruar ai.
Ndryshimet në Rregulloren për Tarifa, Gjoba dhe Ngarkesa komunale do të qëndrojnë në konsultim publik deri më 24 qershor, ndërsa pas kësaj periudhe duhet të procedohen për miratim në Kuvendin Komunal të Prishtinës. /Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)